Play all audios:
Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, në të Dielën e Bariut të Mirë, Françesku kujtoi meshtarët dhe mjekët e shumtë, që humbën jetën, duke u kujdesur për shëndetin e njerëzve, në këtë kohë
pandemie. R. SH. - VATIKAN Françesku kryesoi, sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës, Meshën e së Dielës IV të Pashkëve, E DIELA E BARIUT TË MIRË DHE DITA BOTËRORE E LUTJES PËR THIRRJET
MESHTARAKE E RREGULLTARE. Është kremtimi i 50-të eukaristik i drejtpërdrejtë në streming nga Kapela e Domus Sanctae Marthae, që nga 9 marsi i kaluar, shenjë e afërsisë së Papës me popullin e
Zotit që, në të katër anët e botës, nuk mund ta ndjekë fizikisht meshën, për shkak të coronavirusit. Në hyrje të Meshës, Françesku kujtoi posaçërisht meshtarët dhe mjekët: _“Tri javë pas
Ngjalljes së Zotit, sot, në të Dielën IV të Pashkëve, Kisha kremton të dielën e Bariut të Mirë. Jezusin, Bariun e Mirë. Me këtë rast nuk mund të mos kujtoj barinjtë e shumtë që, në të katër
anët e botës, japin jetën për besimtarët, edhe gjatë kësaj pandemie. Mungojnë shumë, më se 100 vetëm këtu, në Itali. Mendoj edhe për barinjtë e tjerë, që kujdesen për të mirën e njerëzve.
Është fjala për mjekët, për atë që bëjnë çdo ditë. Duhet të kujtojmë se vetëm në Itali, 154 prej tyre dhuruan jetën, në krye të detyrës. Shembulli i këtyre barinjve meshtarë e barinjve mjekë
na ndihmoftë të kujdesemi për popullin besimtar në Zotin”._ Në homeli, Papa komentoi Letrën e Parë të Shën Pjetrit _(1 Pt 2,20b-25),_ në të cilën Apostulli na kujton se u shëruam nga plagët
e Jezusit. “Ishit endacakë, si grigjë e humbur, po tani ju prin bariu, që i ruan shpirtrat tuaja”. Është Jezusi, Bariu! Ai i shpëton delet e humbura. Ungjilli i sotëm _(Gjn 10,1-10)_ flet
për delet, por edhe për portën, nëpër të cilën hyhet në mriz, te grigja: të gjithë ata, që nuk hyjnë prej kësaj porte, janë hajdutë e cuba e ujqër të veshur me tallaganin e bariut. Në
historinë e Kishës ka pasur shumë barinj të rremë, që e shfrytëzonin grigjën, që kërkonin para, karrierë, po grigja i njeh e kërkon Zotin nëpër rrugët e tij. Bariu i Mirë e dëgjon grigjën,
i prin grigjës, kujdeset për grigjën, e grigja di t’i dallojë barinjtë, nuk gabon. Grigja i beson Bariut të mirë, Jezusit. Grigja i beson vetëm bariut të mirë, atij që i ngjet Krishtit. Di
ta dallojë, në rrugën e Tij. E dallon nga sjellja, nga stili! Stili i Jezusit është stili i bariut. Bariu i mirë është i butë, i dhembshur, i afërt! Nuk mbrohet, mbron. Ai i njeh delet e
veta me emër e kujdeset për secilën, si të ishte një e vetme. Bariu i mirë na shoqëron gjithnjë në udhën e jetës. Kisha nuk mund të bëjë pa Jezusin, e ai kujdeset për këtë Kishë! Kjo e
sotmja - kujtoi Papa - është një e dielë e bukur, ditë paqeje e dashurie, në të cilën ndjehet më fort se në çdo të dielë tjetër, prania e Bariut të Mirë në jetët tona, dashuria e Bariut të
Mirë për ne, siç na e kujton Psalmi 22: _“Zoti është bariu im, asgjë s’ më mungon/ Në rudina të blerta më bën të mrizoj,/ më çon ndër gurra të qeta/. Më freskon, më prin ndër shtigje të
drejta/ për dashuri të emrit të Tij”._ Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen e Papës. LUTJA E PAPËS: _“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj pendimin e zemrës së thyer,
thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të
lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty!
Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”._ Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe bekimin eukaritik. Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona
mariane _“Regina caeli”,_ tipike për kohën e Pashkëve: _“Regína caeli laetáre, allelúia. Quia quem merúisti portáre, allelúia. Resurréxit, sicut dixit, allelúia. Ora pro nobis Deum,
allelúia”._ _(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja! – Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! _ _U ngjall si pati premtuar, Aleluja! – Lute për ne Hyjin, Aleluja!)_